Prokuroria bëri të ditur se të gjithë personat e dyshuar në çështjet e korrupsionit që lidhen me Federatën e Futbollit të Maqedonisë ndodhen nën masa sigurie dhe se nuk ka asnjë person të paarritshëm për organet e hetimit.
Sipas njoftimit, ndaj dy të dyshuarve janë shqiptuar së fundmi masa paraprake, ndërsa për një person tjetër është caktuar arrest shtëpiak. Në këtë mënyrë, theksohet se të gjithë të përfshirët në procedurë janë nën mbikëqyrjen e institucioneve.
Të lidhura
None found
Hetimi lidhet me aksionin e realizuar më 18 qershor në disa pika të Shkupit, ku Policia Financiare dhe MPB, nën drejtimin e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, zhvilluan kontrolle në banesa dhe ambiente biznesi, pas një kallëzimi penal të dorëzuar më herët.
Në këtë rast janë të përfshirë edhe tetë persona juridikë, të dyshuar për veprat penale “përvetësim në shërbim” dhe “pastrim parash”. Sipas hetimeve, ish-kryetari i FFM-së, Ilço Gjorgjioski, bashkë me një zyrtare të financave të federatës, dyshohet se gjatë periudhës 2015–2018 kanë përvetësuar mbi 127 milionë denarë.
