Publicisti dhe analisti politik Ismail Muqiqi vlerëson se bashkëpunimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë i domosdoshëm që më herët, por sipas tij, ky proces është penguar nga interesa të ngushta politike dhe përçarje të brendshme.
“Qysh moti ka qenë i nevojshëm një koalicion ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por për shkak të tekeve dhe inateve politike, si dhe për shkak të fraksioneve që veprojnë brenda LDK-së dhe interesave të grupeve të caktuara, kjo nuk ka ndodhur deri tani”, deklaroi Muqiqi.
Të lidhura
None found
Ai thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk prodhuan ndonjë lëvizje të rëndësishme në skenën politike të Kosovës dhe nuk sollën ndryshim thelbësor nga periudhat e kaluara.
“Kjo u vërtetua edhe me rastin e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat nuk sollën asnjë risi apo ndryshim thelbësor në krahasim me të kaluarën”, tha ai.
Sipas Muqiqit, në këtë fazë i takon Lëvizjes Vetëvendosje të dëshmojë gatishmëri për kompromis politik dhe t’i afrohet LDK-së me një propozim konkret lidhur me presidentin e vendit.
“Besoj se Lëvizja Vetëvendosje do të sillet ashtu si duhet, duke reflektuar me parime të shëndosha dhe duke iu afruar Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’ia propozuar një emër të pranueshëm për president të vendit”, u shpreh ai.
Muqiqi kundërshton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke argumentuar se ato vetëm sa e përkeqësojnë gjendjen politike.
“Nuk ka më asnjë kuptim që të pretendohet të shkohet sërish në zgjedhje nacionale. Përveç se janë bërë të neveritshme për qytetarët, ato po e tensionojnë edhe më shumë situatën në skenën politike të Kosovës”, deklaroi Muqiqi.
Duke komentuar sfidat që e presin vendin, ai kërkon nga partitë politike që të marrin përgjegjësi dhe të mos vazhdojnë me bllokada institucionale.
“Kosova ka sfida të shumta me të cilat do të përballet në vazhdimësi, andaj nuk ka asnjë justifikim që përmes obstruksioneve dhe bllokadave të dëmtohet vendi. Është momenti që të gjithë të marrin përgjegjësi, duke i lënë anash interesat personale, partiake dhe grupore për t’i ndërtuar institucionet”, tha ai.
Në përmbyllje, Muqiqi paralajmëroi se zgjatja e krizës politike mund të sjellë pakënaqësi në rritje dhe reagime nga qytetarët.
“Çdo tentativë për të vazhduar avazin e vjetër duhet ta dijë secila parti politike se do të përballet me protesta të vazhdueshme të qytetarëve dhe me braktisje nga skena politike”, përfundoi Muqiqi.
