Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka aprovuar kandidaturat e pesë pretendentëve në garën për Kryeprokuror të Shtetit, me 6 vota pro dhe 1 kundër.
Gjatë mbledhjes së KPK-së, kryesuesi Arian Gashi njoftoi se, sipas vlerësimit të panelit përkatës, të gjithë kandidatët i përmbushin kushtet e parapara për këtë funksion.
Të lidhura
None found
“Ju njoftoj se kemi pranuar 5 aplikacione nga kandidatë. Ndërsa, me postë nuk kemi pranuar asnjë aplikacion. Sekretariati duke u bazuar në nenin për emërim të kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Kosovës, ka rishikuar materialet e pranuara për të përcaktuar se a kanë plotësuar kriteret e kërkuara me rregullore. Sekretariati po ashtu, i ka dorëzuar panelit vlerësues listën e kandidatëve për shqyrtim dhe vlerësim. Pas shqyrtimit të aplikacioneve, paneli vlerësuar ka vlerësuar të gjithë kandidatët plotësojnë kriteret”, tha Gashi.
Kandidatët që kanë aplikuar për këtë pozitë dhe që i përmbushin kriteret janë: Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit; dhe Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
