Gjatë Kupës së Botës 2026, një skenë emocionale me protagonist babanë e Luis Diaz është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale.
Videoja doli në qarkullim pak para ndeshjes së Kolumbisë dhe shfaq babanë e sulmuesit të gjunjëzuar pranë një shtrati në dhomën e hotelit, teksa lutej përballë disa fanellave të përfaqësueses kolumbiane, përfshirë edhe atë me emrin e djalit të tij.
Të lidhura
None found
Këto pamje prekëse emocionuan mijëra tifozë, të cilët vlerësuan besimin dhe mbështetjen e fortë që familja i jep yllit të Bayern Munichut.
Publikimi i videos erdhi menjëherë pas paraqitjes së shkëlqyer të Luis Diaz në suksesin 3-1 të Kolumbisë kundër Uzbekistanit në stadiumin “Azteca”.
Gjatë ndeshjes, sulmuesi kolumbian shënoi golin e dytë për ekipin e tij dhe dha asistin për golin e parë të realizuar nga Daniel Munoz, duke u renditur mes figurave kryesore në startin pozitiv të “Los Cafeteros” në këtë turne.
Si rezultat i kësaj performance, Diaz u vlerësua si lojtari më i mirë i takimit dhe mori çmimin MVP në debutimin e tij në Kupën e Botës.
Pamjet me babanë e tij i dhanë edhe më shumë peshë emocionale një dite që tashmë është bërë e paharrueshme për Luis Diaz dhe familjen e tij.
