Policia e Tiranës, ka zbardhur një pjesë të rëndësishme të rrethanave të zhdukjes së Eglant Koçit, 34-vjeç, i denoncuar si i humbur nga familjarët e tij më 5 qershor.
Hetimet paraprake, kanë ngritur dyshime se i riu mund të jetë rrëmbyer dhe më pas ekzekutuar, megjithëse trupi i tij ende nuk është gjetur.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë çuar në identifikimin e shtetasit Armand Shaka, 41-vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.
Ai është shpallur në kërkim policor, ndërsa strukturat e Policisë vijojnë operacionet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë.
Sipas hetuesve, nga ky ambient ka dalë autori i dyshuar, i cili mund ta ketë marrë me vete 34-vjeçarin me automjet.
Policia ka ushtruar kontrolle të imtësishme në ambientin ku dyshohet se mbahej peng i riu, si dhe në një sërë zonash të tjera, por pa mundur të gjejë gjurmë të 34-vjeçarit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se autori i dyshuar ka lëvizur motomjetin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të këtij hetimi është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi Enea Zyferi, 25-vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin pas ngjarjes.
