Ditën e sotme, në seancën plenare në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, u shpreh se kryeministri Edi Rama po shkelte Kushtetutën e Shqipërisë, duke iu shmangur interpelancave për dhënie llogarie.
Ndërsa kërkoi ardhjen e kreut të mazhorancës për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës për problematikat e ngritura, ai shpjegoi se Shqipëria ka hyrë në diktaturë, ku edhe kreu i ekzekutivit e shpërfill ligjin.
Të lidhura
None found
“Po kujtoj nenin 80 të Kushtetutës që Kryeministri të mos i shmanget interpelancës, Kushtetuta përcakton themelin e shtetit. Dhe kur kryeministri shkel nenin bazë, që është Kushtetuta, imagjinoni se çfarë ndodh. Ka shumë zotërinj të nderuar që duan të diskutojnë me kryeministrin e vendit. Na thoni a është më Republikë Parlamentare Shqipëria apo jo”, tha ai mes të tjerash.
Gjithashtu, Alizoti shtoi se ligji dhe Kushtetuta janë bërë që të ndalojnë “epshin e liderave”, pasi në të kundërt kemi diktaturë.
“Nëpërmjet ligjit ndalohet epshi i liderit dhe kur lideri refuzon ligjin atëherë kemi diktaturë. A jemi në diktaturë? Jemi haptazi në diktaturë. Edhe këta zotërinjtë duhet ta thonë se jemi haptazi në diktaturë. Kryeministri po shkel ligjin, po shkel Kushtetutën. Ju keni tagrin të shpjegoni pse nuk vjen kryeministri në interpelancë, ka të bëjë me shtetin, me kushtetutën. Nga e merr të drejtën kryeministri i Shqipërisë të shkelë Kushtetutën e Shqipërisë, ju lutem më jepni përgjigje”, u shpreh Alizoti.
Nënkryetarja Klodjana Spahiu, iu përgjigj duke i shpjeguar se përgjigja do të merrej gjatë kohës kur të zhvillohen interpelancat e kërkuara me kryeministrin.
“Në zhvillim të interpelancave do merrni edhe përgjigjen nga kryeministri”, tha ajo.
