Konflikti mes Izraelit dhe milicisë libaneze Hezbollah, e mbështetur nga Irani, është përshkallëzuar më tej, ku tetë persona janë vrarë dhe 19 të tjerë janë plagosur, në një sulm ajror izraelit gjatë natës në Libanin jugor, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit (NNA).
Ndërkohë, Hezbollahu, një milici shiite, ka intensifikuar sulmet e tij ndaj veriut të Izraelit.
Të lidhura
None found
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu njoftoi sot në mëngjes, sulme të reja ndaj objektivave të milicisë, në periferi jugore të Bejrutit.
Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz thanë në një deklaratë të përbashkët se urdhrat për sulme, u dhanë në përgjigje të shkeljeve të përsëritura dhe të vazhdueshme të armëpushimit në Liban dhe sulmeve ndaj civilëve dhe qyteteve izraelite.
Periferitë jugore të Bejrutit, të njohura si Dahiyeh, konsiderohen një bastion i Hezbollahut, por janë gjithashtu zona me popullsi të dendur.
Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit në mesin e prillit, ushtria izraelite rrallë, ka kryer sulme në këtë zonë, për shkak të kërkesave të qeverisë amerikane, sipas raportimeve të mediave izraelite.
Në veri të Izraelit janë aktivizuar vazhdimisht alarmet për sulme ajrore, si pasojë e lëshimeve të raketave dhe dronëve nga territori libanez.
Ushtria izraelite raportoi gjithashtu vrasjen e një tjetër ushtari në Libanin jugor.
Sipas medieve izraelite, ai u vra gjatë natës në një sulm të Hezbollahut me dron.
Izraeli dhe qeveria libaneze kanë arritur një armëpushim në mesin e prillit, por Hezbollahu nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe ka refuzuar negociatat me Izraelin.
Që atëherë, Hezbollahu dhe Izraeli kanë kryer sulme ndaj njëri-tjetrit pothuajse çdo ditë.
Ushtria izraelite ka zgjeruar ofensivën e saj në Libanin jugor dhe po avancon më në veri. Gjatë fundjavës, ajo mori nën kontroll Kalanë strategjike të Beaufort-it, një fortesë e shekullit XII.
Franca, më pas kërkoi mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
