Dy ish-vartësit e Belinda Ballukut, Gentjan Gjyli dhe Erald Elezi, janë paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për seancën gjyqësore të dosjes ARRSH.
Gentian Gjyli, ka mbajtur detyrën e Kreut të ARRSH-së ndërsa Erald Elezi ka qenë drejtor i KESH. Për të dy, SPAK ka kërkuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e tyre me nga 1 vit e 6 muaj burg për shkelje të barazisë në tendera.
Të lidhura
None found
Ndërkohë për Evis Berberin, ish-kreun e ARRSH, SPAK ka kërkuar 10 vite burg në total, pasi akuzohet për tre vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera.
DOSJA ARRSH
Ish vartësi i Belinda Ballukut, Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berberi rezulton i përfshirë në raste korruptive me 8 tendera që kapin vlerën e 5 milionë eurove.
SPAK ka dyshime se Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas Prokurorisë, kompania zotërohej prej Berberit. Po kështu, SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARRSH, e njëjta kompani ka fituar tre tendera të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro.
Hetimet e prokurorisë zbuluan gjithashtu se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme. Paratë e kaluara në favor të kompanisë “Daam”, janë përdorur për të blerë prona të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime për Prokurorët, se gjenden përballë një veprimtarie të pastrimit të parave.
Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e Berberit.
