Kush e dhunoi ish-kryetarin e PD-së në Lezhë, sekuestrohen kamerat e sigurisë

Policia e Lezhës, ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në autostradën “Mamurras–Laç”, pranë kryqëzimit të Sanxhakut, ku ish-kryetari i Partisë Demokratike në njësinë administrative Dajç, në Zadrimë, Sokol Toma, u dhunua nga disa persona.

Sipas njoftimit zyrtar, 53-vjeçari është goditur me sende të forta nga disa persona, duke pësuar dëmtime në trup.

Uniformat blu njoftojnë se janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë, ndërsa po kryhen veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i Policisë:

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 22:00 të datës 09.05.2026, në autostradën “Mamurras–Laç”, në afërsi të kryqëzimit të Sanxhakut, ku shtetas ende të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta, shtetasin S. T., 53-vjeç, banues në Lezhë, të cilit i kanë shkaktuar dëmtime në trup, sqarojmë se:

Menjëherë pas njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive, ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave në një territor të gjerë, dhe po kryen një sërë veprimesh të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve”,– thuhet në njoftimin e Policisë.