Kush ka frikë nga gjyqi publik i Erion Veliajt?

ENDRI XHAFO

Pashë sot avokatin e të pandehurit Erion Veliaj, Plarent Ndrecën, që “qahej” në një konferencë për shtyp se nuk po u pranojnë kërkesën për një gjyq publik. Nuk po u besoja syve dhe veshëve. E kundërta do të kishte qenë logjike, kundërshtimi nga pala e pandehur e një gjyqi publik. Pse? Sepse detajet që mund të dalin në një seancë publike me transmetim direkt të çdo debati, prove dhe seancash pyetje-përgjigje, mendohet të dëmtojnë më shumë palën e paditur. Aq më shumë kur i pandehuri është një figurë publike, kryetar formalisht në detyrë i Bashkisë së Tiranës. Por mesa duket Veliaj i ka bërë llogaritë me veten për këtë dhe po këmbëngul fort që sinjali i seancës të emetohet “live” dhe pastaj televizionet janë të lira ta transmetojnë ose jo.

Të lidhura

None found

Duke e vënë veten edhe në pozitën e kundërshtarëve politikë të Erion Veliajt, jo vetëm atyre që organizuan 41 protesta përpara Bashkisë së Tiranës me kërkesën për largimin e tij, por edhe të kundërshtarëve politikë brenda Partisë Socialiste, unë, si kundërshtar i tij, do të isha për “pooo” me të dyja duart!

Duke e vënë veten nën lëkurën e prokurorëve të SPAK-ut, unë tani do të isha duke i fërkuar duart!

Prokurorët e SPAK-ut, kur fillojnë një hetim penal, betejën e parë nuk kanë e kanë me të pandehurin në gjykatë, por me marrëdhëniet publike, pra fitimin e simpatisë së publikut të gjerë ndaj kauzës së tyre. Dhe për këtë ata rrjedhin në media detaje të dosjeve, që mbajnë gjallë debate dhe emisione të tëra nga mëngjesi në darkë. Ndaj a ka moment më të mirë për ta vazhduar këtë betejë PR-i pikërisht edhe në sallën e gjyqit?

Vijmë te publiku i gjerë. Ne, publiku, pikërisht sepse akuzat i kemi dëgjuar të na përcillen nga të tretë, gazetarë të kronikës që kanë elementë të dosjes, njoftime zyrtare të SPAK-ut në formë deklaratash shtypi të përcjella nga mediat, akuza avokatësh mbrojtës, deklarata publike të Veliajt në FB, ne, publiku, meritojmë ta shohim këtë njeri të përballet me akuzat që i bëhen. Ne kemi të drejtë të shohim a ka vjedhur, sa ka vjedhur, kur dhe si i ka vjedhur shqiptarët. Ndaj, duke qenë pala e fundit logjikisht e interesuar për një seancë publike, na lind e drejta të pyesim: Ore, po ku qëndron problemi këtu?

Sigurisht, një seancë publike kërkon solemnitet. Çdo seancë e kërkon, por ato publiket, më shumë. Prokurorët nuk mund t’i drejtohen të akuzuarit me etiketime si “gënjeshtar patologjik”, “ndyrësirë”, apo “shumë i pisët”, pa rrezikuar të humbasin simpatinë e publikut të gjerë. Specifikisht prokurori Olsi Dado mund të përballet edhe me akuzën e të pandehurit Veliaj se ai është bërë prokuror nga kryeprokurorja Ina Rama kur ai ishte thjesht noter në Durrës, pra pa qenë magjistrat siç e kërkonte ligji, edhe pse ky fakt, nëse do të evidentohej nga Veliaj, mund të ishte pa lidhje me seancën.

Treshja e gjyqtarëve, Elsa Ulliri, Flora Hajredini dhe Besmir Stroka do të duhet të demonstrojnë paanshmëri duke qenë mbi palët, dhe jo të duken sikur janë shokë e kolegë me prokurorët, aq sa të vërtetojnë atë që thoshte dikur Dumani në KLP, se “afërmendsh, gjykata vendos çfarë duam ne”.

Vetë Veliaj do të duhet të jetë më i kujdesshëm për të mos rënë në patetizma të tipit “unë fëmija jetim, fëmijët e të cilit po rriten edhe ata pa baba, sepse faji im i vetëm ishte që punova me mish e me shpirt për këtë qytet”. Ky është pak ushtrim i vështirë për Veliajn, por që ai, gjithsesi, në Gjykatë Kushtetuese ia doli. Mos vallë pikërisht pse doli me dinjitet nga seanca në Gjykatë Kushtetuese, prokurorët po e refuzojnë kërkesën e tij për seancë publike edhe në penale? Mos vallë Altin Dumani dhe Olsi Dado kanë frikë pikërisht nga elokuenca e Erion Veliajt? Në fakt, njësoj si një debat nuk fitohet nga ai që e ngre zërin më shumë, ashtu edhe një proces gjyqësor nuk fitohet, – nuk duhet të fitohet, – nga ai që është më elokuent, por nga ai që ka provat më të forta. Zyrtarisht prokurorët po thonë se në procese penale ku ka dëshmitarë, transmetimi “live” mund të ndikojë në dëshmitë e tyre ose t’i shqetësojë ata. Dhe Dumani ka sjellë si shembull vende të rajonit ku kjo praktikë nuk ekziston. Në fakt në Shqipëri as Kushtetuta dhe as ligji penal nuk e ndalon seancën publike. Ndaj në këtë pikë standardi i Shqipërisë, për fat të mirë, është më i lartë se ai i Maqedonisë së Veriut apo kujtdo vendi tjetër të rajonit.

Ndaj jepjani Veliajt seancën publike dhe vëreni me shpatulla pas murit… me prova! Duke e diskretituar publikisht, do t’i tregojini publikut edhe sa mirë e keni bërë punën tuaj.


Shtuar 7.05.2026 14:30