Ligjvënësit rumunë kanë rrëzuar këtë të martë qeverinë pro-BE, të kryeministrit Ilie Bolojan në një proces votimi mosbesimi, duke vendosur kështu në rrezik vlerësimet e borxhit sovran të vendit, stabilitetin e monedhës, si edhe aksesin e tij në fondet e BE-së.
Bolojani ka udhëhequr një qeveri minoritare që nga fundi i prillit, kur Social Demokratët, partia më e madhe në parlament, kërkuan dorëheqjen e tij dhe më pas dolën nga koalicioni katërpartiak dhe u bashkuan me opozitën e ekstremit të djathtë për të paraqitur një votë mosbesimi.
Të lidhura
None found
Mocioni i mosbesimit të kësaj të marte mori në total 281 vota, duke e tejkaluar kufirin prej 233 votash të nevojshme për t’u mirartuar.
Edhe pse zgjedhjet e parakohshme duken të pamundura, tregjet financiare janë të shqetësuara se turbulencat mund të nënkuptojnë që Bukureshti të lëkundet në angazhimin e tij për të ngushtuar deficitin më të madh buxhetor të Bashkimit Evropian.
Presidenti i vendit Nicuşor Dan, do të fillojë konsultimet me partinë për vendosjen e një kryeministri të ri. Social Demokratët (PSD) kanë thënë shpesh se do të ribashkohen me një koalicion pro-BE nën një kryeministër tjetër. Presidenti Dan ka qenë kategorik se AUR e ekstremit të djathtë nuk do të luajë asnjë rol në asnjë qeveri të ardhshme.
Partia e Bolojanit deri më tani ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit të ri me Social Demokratët, megjithëse disa anëtarë të lartë të partisë kanë kërkuar pajtim.
Koalicioni aktual erdhi në pushtet 10 muaj më parë me qëllim përmbajtjen e fitimeve të së djathtës ekstreme pas një serie zgjedhjesh polarizuese, dhe kishte filluar të zvogëlonte deficitin, duke shmangur mezi një ulje të vlerësimit nga shkalla e fundit e gradës së investimit.
Por Social Demokratët, pa të cilët nuk mund të arrihet një shumicë pro-BE, janë përplasur vazhdimisht me Bolojanin, pasi masat e tij të kursimit kanë goditur votuesit dhe rrjetet e tyre të patronazhit, ndërsa mbështetja popullore për ta është zbehur drejt të djathtës ekstreme, raporton Reuters.
