Aksidenti tragjik me dy viktima në Durrës, seanca plenare nis me një minutë heshtje

Seanca plenare e kësaj të hëne ka nisur me një minutë heshtje në nderim të dy fëmijëve të mitur që humbën jetën nga aksidenti tragjik në Durrës. Deputetët u ngritën në këmbë në shenjë respekti për viktimat, ndërsa seanca vijoi më pas me rendin e ditës.

“Engjëjt u prehshin në paqe”, u shpreh zv.kryeparlamentarja, Klodjana Spaho.

Të lidhura

None found

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.

Radaçi rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Ndërkohë që nga testet e alkoolit është zbuluar se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel 0.73 mg/l. Kjo nuk është hera e parë që 57-vjeçari ecte në gjendje të dehur në makinë dhe me shpejtësi. Më parë atij i është pezulluar dy herë patenta në vitin 2020 dhe 2022.


Shtuar 4.05.2026 17:35