Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është marrë në pyetje si dëshmitar për dosjen “Partizani”, në cilësinë e kallëzuesit.
Në seancën e sotme (30 prill ) në GJKKO, Taulant Balla, është përballur edhe me Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish kryeministrit Sali Berisha.
Të lidhura
None found
Në fjalën e tij, Balla ka theksuar se kallëzimi i tij është shoqëruar me dokumentacion të detajuar dhe data konkrete.
Ai ngriti dyshime mbi procedurat e ndjekura për privatizimin dhe vlerësimin e pronave, duke e konsideruar procesin të dyshimtë.
“Si dashamirës i sportit, kam dorëzuar dokumente që tregojnë mospërputhje, ku në një rast prona përfshihej në planin e përhapjes dhe në një tjetër jo. Gjithashtu, vlerësimi i dy ndërtesave ka qenë në mënyrë qesharake i ulët”, deklaroi Balla.
Sipas tij, faza e parë e procedurës është zhvilluar në një periudhë të shkurtër prej 6 muajsh, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procesit. Ai shtoi se në kallëzimin e tij ka përfshirë edhe dyshime për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Gjatë pyetjeve nga përfaqësuesit të SPAK, Balla u shpreh se është njohur përmes mediave me pretendime se pronarët e mëparshëm të pronës janë dëmshpërblyer vite më parë.
I pyetur nga Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e tokës, Balla sqaroi pozicionin e tij në kohën e depozitimit të kallëzimit, duke theksuar se ka qenë Sekretar i Përgjithshëm dhe më pas Kryetar i Grupit Parlamentar të PS, por kallëzimin e ka firmosur si qytetar.
“Kam kryer detyrën si çdo qytetar, në dobi të interesit publik”, tha ai, duke shtuar se vendimi për kallëzimin ka qenë personal dhe jo i grupit parlamentar.
Balla deklaroi se mbledhja e provave ka qenë rezultat i një pune disa vjeçare hetimore, duke përdorur edhe të drejtën që i jep ligji për statusin e deputetit për të kërkuar informacion nga institucionet.
Ai sqaroi se një pjesë e të dhënave janë siguruar përmes institucioneve shtetërore dhe një pjesë tjetër përmes qytetarëve.
