Bordi i Transparencës rrit sërish çmimin e karburanteve! Ja sa do blihet nafta dhe benzina

Kriza e karburanteve, sjell rritjen sërish të çmimit të naftës dhe benzinës. Pa kaluar as 24 orë, Bordi i Transparencës, ndryshon çmimet e karburanteve, duke rritur respektivisht me nga 5 lekë benzinën dhe naftën në tregun e shitjes.

Bordi ka vendosur që nafta të shitet me 208 lekë, kurse benzina me 185 lekë, duke nisur nga ora 13:00 e pasdites së sotme (30 prill).

Të lidhura

None found

Një ditë më parë (29 prill), çmimet ishin 203 lekë për naftën dhe 180 lekë për benzinën.

Njoftimi i Bordit të Transparencës:

Bordi i Transparencës në datë 30 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:

“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 196 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 30 ora 13.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%”.