Ministria e Jashtme ka dalë me një reagim zyrtar në lidhje me akuzat nga ana e Partisë Demokratike për një mesazh të ministrit Ferit Hoxha, i cili, sipas tyre, i ka cilësuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si “idiotë”.
“Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, pretenduan disa nga deputetët e PD-së se ka thënë ministri Hoxha.
Të lidhura
Por Ministria e Jashtme, përmes zëdhënësit të saj, e quan mesazhin e publikuar nga deputetët demokratë si sajesë dhe të pavërtetë.
“Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend”, theksohet në reagim.
Reagimi i plotë:
Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend.
Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme.

