Zbulohet ora se kur do të mbahet protesta e opozitës, policia njofton rrugët e bllokuara

Protesta e opozitës që do të mbahet të premten para Kryeministrisë do të nisë në orën 19:00. Lidhur me protestën, policia ka marrë masat për garantimin e mbarëvajtjes së protestës kombëtare.

Sipas njoftimit të policisë, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Të lidhura

None found

Mësohet se nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

“Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, Policia e Tiranës ka marrë masat për të devijuar qarkullimin e automjeteve përmes rrugëve alternative.

Policia iu bën apel qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim. Policia e Tiranës i bën thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprime të kundërligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike”, njofton policia.


Shtuar 16.04.2026 16:22

Tags: ,