Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka deklaruar se vëllai i ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është nën hetim nga SPAK për pastrim parash në aferën e AKSHI-t. Gjatë një deklarate për mediat, Vangjeli tha se dëshmia e vetë Gëzim Hoxhës përpara SPAK konfirmon atë që opozita ka denoncuar prej vitesh: një sistem të kapur të prokurimeve publike.
Vangjeli deklaroi se vëllai i ministrit Hoxha po hetohet për pastrim parash të kryer në kuadër të organizatës kriminale dhe, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar se ka lidhur kontratë sekrete me AKSHI-n dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, me vlerë rreth 60 milionë euro.
Të lidhura
None found
Në fund, Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD bëri thirrje në protestën e opozitës, e cila do të mbahet më 17 prill në oren 19:00, në Tiranë. Ajo tha se Shqipëria nuk mund të jetë peng i një regjimi që shpërblen heshtjen dhe ndëshkon të vërtetën.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Gjatë prezantimit të drejtuesit të ri të AKSHI-t disa javë më parë, KM Edi Rama artikuloi publikisht filozofinë e tij të qeverisjes: heshtje dhe bindje të verbër ndaj pushtetit.
Thirrja drejtuar administratës për të “mbajtur gojën e mbyllur” nuk është rastësi, por një deklaratë e hapur kundër transparencës, llogaridhënies dhe shtetit ligjor. Është shpallje publike e një modeli qeverisjeje që kërkon nënshtrim, jo shërbim ndaj qytetarëve.
Jo vetëm AKSHI, por edhe të tjera institucione vijojnë të operojnë në tendera me të njëjtët operatorë, edhe pse SPAK për disa prej tyre ka evidentuar se garojnë fiktivisht, me qëllimin e dyshuar për të krijuar idenë e garës reale, madje duke bashkëkoordinuar me njëri-tjetrin, me qëllimin final që të shpallet fituese oferta e paracaktuar.
Rasti konkret ka të bëjë me First shpk, kompaninë që del në qendër të një rrjeti të dyshuar korrupsioni dhe pastrimi parash, në pronësi, të paktën në dokumente, të vëllait të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha.
Dëshmia e vetë Gëzim Hoxhës përpara SPAK konfirmon atë që opozita ka denoncuar prej vitesh: një sistem të kapur të prokurimeve publike.
G. Hoxha po hetohet për pastrim parash të kryer në kuadër të organizatës kriminale dhe, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar se ka lidhur kontratë sekrete me AKSHI-n dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, me vlerë rreth 60 milionë euro, dhe se për këtë ka nënkontraktuar disa shërbime nga shoqëria EA Solution shpk, në pronësi të Ergys Agasit, aktualisht nën masën e sigurisë “arrest me burg” të paekzekutuar. Në këtë realitet, motoja e Edi Ramës duket e qartë: hesht dhe shpërblehesh. Ndoshta nuk është rastësi që deponimet e Gëzim Hoxhës mbetën me kaq…
Në të njëjtën periudhë, në shenjë mirënjohjeje, vëllai i tij, Ferit Hoxha, gradohet në detyrën e ministrit të jashtëm, ndërsa vetë ai mbetet nën masën e sigurisë së ndalimit të lëvizjes jashtë vendit. Halli është mos nën magjinë e Edi Ramës bien dy prokurorët e çështjes penale apo dhe gjyqtarët… Partia Demokratike dhe opinioni publik kërkojnë zbardhjen e plotë dhe të menjëhershme të kësaj çështjeje, pa asnjë vonesë dhe pa asnjë kompromis. Të premten, në orën 19:00, qytetarët në shesh – për demokracinë, për drejtësinë dhe për të ardhmen e vendit. Shqipëria nuk mund të jetë peng i një regjimi që shpërblen heshtjen dhe ndëshkon të vërtetën.
