Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se vendi i saj shpreson që procesi i pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian të fillojë dhe se Italia dëshiron të zhvillojë prodhim të përbashkët të dronëve me Kievin.
Në një takim me kreun ukrainas në Romë, Meloni u shpreh se, Italia synon të kontribuojë me qëllim arritjen e zgjidhjeve të pranuara bashkërisht që mund të mbrojnë sovranitetin e Kievit.
Të lidhura
None found
“Në grupin e vendeve G7, ne do të vazhdojmë të promovojmë masa për të ushtruar presion ekonomik mbi Rusinë dhe do të punojmë për të garantuar mbështetje ekonomike për Ukrainën, siç është vendosur nga Këshilli Evropian”, shtoi kryeministrja italiane.
Nga ana tjetër, Volodymyr Zelensky theksoi se vendi i tij bashkëpunon me Italinë, me qëllim garantimin e sigurisë, dhe falënderoi kryeministren italiane për përpjekjet personale që ajo bën, me qëllim mbrojtjen e interesave evropiane.
“Diskutuam situatën në Lindjen e Mesme dhe Gjirin. Është e rëndësishme, pas kësaj lufte, të rritet siguria, kjo është një çështje që shqetëson dhe intereson të gjithë botën. Kostoja e jetesës po rritet për të gjithë ne, rreziqet në aspektin e energjisë po rriten. Ne kemi nevojë për një sistem efektiv mbrojtës dhe qëllimi ynë është të bashkojmë aftësitë tona me ato të partnerëve tanë. Ka interes nga Italia dhe ne po punojmë për të rritur bashkëpunimin midis ndërmarrjeve tona të sektorit të mbrojtjes”, theksoi presidenti ukrainas, ndër të tjera.
