Aeroporti i Vlorës/ Ornela Çuçi replikon me Berat Buzhalën

nga Ornela Çuçi

Për aeroportin e Vlorës dhe Behgjet Pacollin, shkruhet shumë dhe gati çdo ditë. Për këtë arsye do të ishte e pakuptimtë të reagosh për secilin koment, për më tepër që sulmet mbi këtë çështje janë hapur të sponsorizuara nga ata që duan të rrëmbejnë pronën e dikujt pa punuar asnjë ditë vetë dhe nga ata që janë mësuar të përfitojnë duke e përdorur profesionin si shërbim me pagesë.

Të lidhura

None found

Por, si përgjegjëse për mediat e Mabco Group, për të sqaruar opinionin public përfshirë këtu edhe mikun tim Buzhala, zgjodha të reagoj ndaj një komenti të tij mbi intervistën e Behgjet Pacollit mbrëmë në Opinion, nisur nga fakti se Berati e njeh mirë Behgjetin. Në të mirë e në të keq. Në jetë publike e në jetë private. Për shkak të kësaj njohje, Buzhala thotë se kurrë nuk e ka menduar se Behgjet Pacolli është njeri i Rusisë.
Mirëpo Berati, që nuk le ngjarje pa komentuar, e mirë bën, nuk tha asnjë fjalë kur “valonët” për të cilët i vika keq që po “u sulmokan” nga Behgjeti, këtë përrallën me Rusinë e përdorën paturpësisht për të manipuluar opinionin publik dhe gënjyer gjykatat. Berati nuk bëri asnjë verifikim se si ndodhi që Valon Lluka, i cili akuzon Behgjet Pacollin për kontrata me fonde “të dyshimta”, ndërkohë i ka nënshkruar vetë ato.
E kuptoj që Berati ka dashur patjetër të komentojë diçka për intervistën e Behgjet Pacollit mbrëmë me Blendi Fevziun dhe e vetmja gjë që e paska mërzitur dhe i ka lënë shije të hidhur është marrëdhënia që Pacolli krijon më bashkëpuntëorët e tij. Sigurisht që ka të drejtë të hidhërohet për raportet njerëzore brenda Mabco-s apo Mabetex-it, por skenari për t’i grabitur dikujt pronën dhe investimin njëqind milionësh a i lë ndonjë shije për ta analizuar?
Ky është një konflikt për marrjen me forcë të kuotave. As më pak e as më shumë. Financimi nuk është pronësi. Kreditë bankare, detyrimet ndaj furnitorëve apo mbështetja nga pronarët janë instrumente financimi, jo arsye për t”i hyrë tjetrit në kapital. T’i trajtosh si aksione është të përmbysësh një parim bazë të ekonomisë së tregut. Borxhi nuk të bën pronar. Nëse kjo logjikë do të pranohej, çdo detyrim do të kthehej në armë për të zhveshur pronarët legjitimë nga e drejta e tyre.
Aq më keq kur bëhet fjalë për një kontratë koncesionare, kjo nuk është më thjesht çështje financiare. Përqindjet e aksioneve janë përgjegjësi teknike, operative dhe ligjore ndaj shtetit, jo monedhë për t’u rishpërndarë sipas interesit të momentit. Thënë këtë, ky o mik, nuk është një konflikt financiar i cili buron vetëm nga balancat e besimit të prishura midis ortakëve, por po ushqehet nga mosnjohja e të drejtës tregëtare që rregullon marrëdhëniet midis ortakëve. Nga njerëz të paguar, nga njëjta dorë e fshehtë që ushqen besimin e ortakut minoritar 2 %, që megjithëse pa eksperiencë teknike edhe operative , autoriteti kontraktor do të mund t’i pranojë ndryshimin e kuotave në favor të tyre.
Behgjet Pacolli po vidhet nën dritën e diellit. Kjo është intrigë për t’i rrëmbyer pronën dikujt dhe për t’ia dhuruar atë dikujt tjetër. Debati nëse “dy valonët” e kanë vjedhur Bacën apo nëse Baca ka faj për këtë, të kujton një skec të vjetër të estradës së Fierit: “Po ai që vodhi, a pati faj?” Një debat i tillë nuk i shton asnjë vlerë publikut. Përkundrazi, vetëm rrit zhurmën, aq të nevojshme për të fshehur thelbin.Trishtimi për “valonët” është një mënyrë për të dalë tek fjalia kryesore që ka dashur të thotë Berati: “Përfshirja e Baces në këtë projekt është gabimi ndoshta më i madhi i tij biznesor” dhe më pas për të shtruar pyetjen retorike: “Qysh është e mundun që dy valona, ademi e lluka, me pasë ndikim ma të madh te Rama, se sa Behgjeti?”. Retorike sepse Berati, ashtu si dhe shumë të tjerë e dinë që kjo nuk është punë “valonash”, por e të tjerëve, me fuqi politike e ekonomike, nga ata për të cilët Berati ka disa vite që komenton veç me nota entuziazmi.
Meqë ne shqiptarët, andej e këndej kufirit, kemi zakon të përziejmë çdo argument ligjor, ekonomik apo politik me emocionet tona, nuk po i shmangem as unë këtij vesi. Edhe unë, si Berati, mendoj se njerëzit e pozicionuar mirë financiarisht kanë një dobësi të njohur, zgjedhjen e bashkëpunëtorëve dhe miqve.

Shpesh i hapin derën e shtëpisë, iu hedhin krahun, iu zgjidhin hallet, I ndihmojnë pa i vënë në provë.
Dhe kur prova vjen, shija është e hidhur. Apo jo, Berat?


Shtuar 14.04.2026 16:31