Policia në Greqi dyshohet se ka rekrutuar migrantë për të shtyrë me forcë migrantë të tjerë drejt kufirit tokësor me Turqinë, sipas një hetimi të gjerë të publikuar nga BBC. Sipas raportit, ekzistojnë dokumente të brendshme policore ku përshkruhet se rekrutimi i personave të quajtur “mercenarë” është urdhëruar dhe mbikëqyrur nga oficerë të lartë. Këta individë dyshohet se janë përdorur për të kryer kthime të detyruara, të njohura si “pushbacks”, një praktikë që konsiderohet e paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.
Dëshmitë e mbledhura nga hetimi përfshijnë akuza për trajtim të dhunshëm ndaj migrantëve. Sipas dëshmitarëve, personat e ndaluar janë zhveshur, grabitur, rrahur dhe në disa raste edhe abuzuar seksualisht. Pretendohet se përdorimi jozyrtar i këtyre grupeve në kufi daton të paktën që nga viti 2020.
Kryeministri grek, Mitsotakis në një deklaratë për BBC, është shprehur se ishte “plotësisht i pavetëdijshëm” për akuzat mbi përdorimin e migrantëve në këto operacione. Nga ana tjetër, autoritetet greke nuk kanë dhënë përgjigje ndaj kërkesave të detajuara me shkrim për koment lidhur me këto pretendime.
Të lidhura
None found
Akuzat për përfshirjen e personave të maskuar të huaj në operacione të tilla ishin raportuar edhe më herët, në vitin 2022, nga organizata mediatike Lighthouse Reports me bazë në Holandë. Hetimi i fundit i BBC është realizuar në bashkëpunim me Consolidated Rescue Group (CRG) dhe ka nisur në vjeshtën e kaluar.
Sipas raportit, gazetarëve u është dorëzuar një video që pretendohet se tregon trajtimin e keq të migrantëve nga persona të armatosur. Videoja është shpërndarë nga një kontrabandist, i cili ka deklaruar se është shkëputur nga bashkëpunëtorët e tij. Megjithatë, autenticiteti i materialit nuk është verifikuar plotësisht, por përmbajtja përputhet me dëshmi të tjera të mbledhura nga burime të pavarura.
