“200 mijë euro për “Delina n’Fest”/ Denoncimi i PD: Paratë e shqiptarëve shkojnë për bizneset e ministres

Këtë të premte, në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar një rast të përfitimit të paligjshëm nga pushteti, të lidhur me ministren Delina Ibrahimaj dhe familjarët e saj.

Vangjeli shprehet se, prej vitit 2021, paralelisht me ngjitjen e Ibrahimajt në poste ministrore, është rritur ndjeshëm numri i bizneseve në pronësi të familjarëve të saj, nga 2 në 7 subjekte. Sipas saj, kjo rritje nuk është rastësi, por pjesë e një skeme përfitimi nga pushteti.

Të lidhura

None found

PD kujton gjithashtu, denoncimet e mëparshme lidhur me një hotel në Qeparo, i regjistruar në emër të vjehrrit të ministres dhe i administruar nga bashkëshorti i saj.

Rasti më i fundit, sipas Vangjelit, lidhet me projektin “Delina n’Fest”, i cili në dokumente figuron si “Vjosa n’Fest”. Ky projekt, i zhvilluar në katër edicione, ka përfituar rreth 200 mijë euro nga fondet publike të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Turizmit.

Sipas PD-së, projekti është zbatuar nga shoqata Tirana Ekspres, ku vetë Ibrahimaj ka qenë e punësuar më parë, ndërsa bashkëshorti i saj ka përfituar të ardhura si drejtues gjatë zbatimit të projektit.

Vangjeli thekso se edhe aktualisht, në detyrën e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ibrahimaj vijon të mbështesë të njëjtin projekt dhe subjekt, çka sipas tyre përbën konflikt interesi dhe abuzim me fondet publike.

Deklarata e plotë e Vangjelit:

Nuk është hera e parë që Partia Demokratike denoncon aferat dhe përfitimet e dyshimta të bizneseve të lidhura me familjen e ministres Delina Ibrahimaj.

Prej vitit 2021, paralelisht me ngritjen e saj në detyrën e ministrit, është rritur në mënyrë të dyshimtë edhe numri i bizneseve të familjarëve të saj — nga 2 në 7 subjekte të deklaruara dhe askush nuk e beson se kjo është rastësi, por një model i qartë përfitimi nga pushteti.

Partia Demokratike ka denoncuar më herët bizneset dhe hotelin në Qeparo, regjistruar në emër të vjehrrit të saj, dhe në administrim të bashkëshortit.

Sot po nxjerrim në dritë një tjetër rast flagrant: projektin ‘Delina n’Fest’, i cili në dokumente figuron si ‘Vjosa n’Fest’.

Ky projekt, i zhvilluar në katër edicione dyditore, ka përfituar rreth 200 mijë euro nga fondet publike të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Turizmit — para të qytetarëve shqiptarë.

Sepse projekti është zbatuar nga shoqata ‘Tirana Ekspres’, një subjekt ku vetë Delina Ibrahimaj ka qenë e punësuar dhe ku bashkëshorti i saj gjatë kohës së implementimit të këtij projekti, ka përfituar të ardhura si drejtues.

Sot, si Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj vijon pa asnjë ndroje të mbështesë të njëjtin projekt dhe subjekt i cili gjendet i publikuar ndër të tjerë projekte të rishikuar

Në një vend normal, një skandal i tillë do të kishte sjellë dorëheqje të menjëhershme dhe hetim penal.

Por në Shqipëri, ministrat vazhdojnë të pasurohen në mënyrë të pacipë, ndërsa drejtësia hesht dhe mbyll sytë për vjedhjen e parave të shqiptarëve.

Përballë kësaj arrogance dhe pandëshkueshmërie, qytetarët nuk mund të heshtin.

Prandaj, i bëjmë thirrje çdo shqiptari që e ndjen veten të vjedhur e jo vetëm…të bashkohet në protestë ditën e premte, më 17 prill, për të kundërshtuar korrupsionin, abuzimin dhe varfërimin e vendit.


Shtuar 10.04.2026 13:41