Këngëtari i njohur turk Ibrahim Tatlises, 74 vjeç, është shtruar me urgjencë në një spital në Stamboll pas një shqetësimi shëndetësor që ka shfaqur në banesën e tij, menjëherë pas kthimit nga koncertet jashtë vendit.
Sipas burimeve mjekësore, artisti është paraqitur me tension të ulët të gjakut, ndërsa pas ekzaminimeve të para është konstatuar një infeksion bakterial. Për arsye sigurie, mjekët kanë vendosur ta mbajnë nën monitorim në njësinë e kujdesit intensiv.
Të lidhura
None found
Drejtori i spitalit, Dr. Engin Çakmakçi, bëri të ditur se këngëtari është i vetëdijshëm dhe se funksionet jetësore, përfshirë zemrën dhe mushkëritë, paraqiten normale. Sipas tij, gjendja e përgjithshme është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut të menjëhershëm.
Ndërkohë, trajtimi për infeksionin po vijon sipas protokolleve mjekësore, ndërsa ekipi shëndetësor po ndjek nga afër çdo zhvillim.
Familjarët e artistit kanë mbërritur menjëherë në spital për t’i qëndruar pranë. Mes tyre janë edhe fëmijët e tij, Ahmet dhe Dilan Çitak. Vajza e tij, Melek Zubeyde, ka bërë të ditur se dyshohet që infeksioni të ketë lidhje me tëmthin, duke lënë të hapur edhe mundësinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale, në varësi të ecurisë së gjendjes.
Lajmi ka shqetësuar fansat dhe opinionin publik, megjithatë mjekët sigurojnë se këngëtari ndodhet nën kujdes të vazhdueshëm dhe situata mbetet nën kontroll.
