Gjyqtarja u denoncua nga PD, SPAK kërkon pushimin e hetimit ndaj Irena Gjokës

SPAK kërkon pushimin e hetimit të nisur pas kallëzimeve ndaj Irena Gjokës, gjyqtare e denoncuar nga Partia Demokratike. Prokuroria e Posaçme bën me dije se duke marrë në konsideratë mungesën e njoftimit të rregullt, zhvillimin e gjykimit në mungesë, si dhe kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale, konstatohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale për këtë çështje dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale.

“Materialet e administruara tregojnë se Irena Gjoka ka qenë subjekt i procedurave administrative dhe gjyqësore në Greqi, pas dy episodeve në kufi, ku është konstatuar përdorimi i dokumenteve të parregullta dhe tentativa për hyrje me të dhëna të ndryshme identifikuese. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke. Në vijim, nga dokumentacioni i siguruar rezulton se ndaj saj është zhvilluar edhe një proces penal në Greqi, konkretisht me vendimin nr. 1447/2005 të Gjykatës Penale të Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore dhe është dënuar për përdorim dokumentesh të parregullta. Megjithatë, ky gjykim është zhvilluar në mungesë të saj, ndërsa njoftimi është realizuar sipas procedurave për persona me vendbanim të panjohur. Në këtë kuadër, nuk rezulton të ketë dokumentacion që provon se ajo është njoftuar realisht dhe në mënyrë efektive as për zhvillimin e gjykimit dhe as për shpalljen e vendimit”, thuhet në njoftim.

“Gjithashtu, nuk rezulton të jetë administruar dokumentacion që provon njoftimin e vendimit gjyqësor ndaj saj, si dhe nuk evidentohet marrja dijeni në mënyrë efektive për ekzistencën e këtij vendimi në kohën e dhënies së tij. Autoritetet greke, në vijim të zbatimit të legjislacionit përkatës (ligji nr. 3346/2005), kanë urdhëruar mosekzekutimin dhe arkivimin e vendimit penal, për shkak se ai nuk kishte marrë formë të prerë dhe për shkak të parashkrimit të veprës penale. Po ashtu, nga verifikimet zyrtare të kryera rezulton se në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figurojnë të dhëna për dënim penal ndaj saj, ndërkohë që edhe në formularin e vetëdeklarimit ajo ka deklaruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë. Nga analiza e mëtejshme e akteve rezulton se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit, në përputhje me legjislacionin përkatës të aplikueshëm. Duke marrë në konsideratë mungesën e njoftimit të rregullt, zhvillimin e gjykimit në mungesë, si dhe kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale, konstatohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale për këtë çështje dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale. Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar pushimin e çështjes, mbështetur në nenet 28/1, 75/a dhe 328 pika 1, shkronja “d” dhe “dh”, si edhe 329, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale”, vijon njoftimi.


Shtuar 25.03.2026 21:09