Trafik i rënduar është regjistruar këtë të premte në drejtim të juglindjes së vendit, ku mijëra automjete kanë mbetur të bllokuara për shkak të fluksit të lartë të lëvizjes.
Situata më problematike paraqitet në rrethrrotullimin e Bradasheshit, i cili vijon të krijojë vështirësi për qarkullimin e mjeteve. Në këtë pikë është krijuar një radhë e gjatë kilometrike automjetesh, ndërsa drejtuesit e mjeteve po qëndrojnë për orë të tëra në trafik.
Fluksi i lartë i qarkullimit lidhet me festimet për Ditën e Verës, që tradicionalisht shoqërohen me lëvizje të shumta drejt zonave të juglindjes.
Ndërkohë, është dhe shtimi i turistëve të cilët vizitojnë juglindjen pas zgjidhjes së ngërçit në aksin Librazhd–Përrenjas, çka ka bërë që më shumë automjete të qarkullojnë në këtë drejtim. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve tashmë përballen me një tjetër problematikë, atë të trafikut për shkak të një hinke në rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Trafik të rënduar pritet të ketë edhe në aksin tjetër Elbasan–Librazhd–Përrenjas, veçanërisht në segmentet ku aktualisht po kryhen punime në rrugë.
