Sekretariati i Etikës përjashton 10 ditë nga Kuvendi, Gazment Bardhin dhe Klevis Balliun

Sekretariati i Etikës në Kuvend, ka vendosur përjashtimin me nga 10 ditë nga aktivitetet parlamentare të dy deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas incidenteve dhe gjuhës së përdorur në seancën e fundit plenare.

Vendimi erdhi pas kërkesës së Partisë Socialiste, për marrjen e masave disiplinore ndaj dy deputetëve demokratë.

Sipas socialistëve seancën e fundit, Klevis Balliu, tentoi të godiste me grusht kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla gjatë përplasjes në sallë.

Ndërkohë, Gazment Bardhi, është ndëshkuar gjithashtu me 10 ditë përjashtim, pasi ofendoi deputetet e Partisë Socialiste, duke përdorur një gjuhë fyese ndaj tyre.

Fillimisht ishte Taulant Balla, u përfshi në debat me deputeten demokrate Albana Vokshi, të cilës i është drejtuar me një koment ofendues duke i thënë se “e ka numrin 0900”.

Për këtë incident, Partia Demokratike, ka kërkuar përjashtimin e Taulant Balla nga Kuvendi për 60 ditë.