Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me një masë më të butë.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa është paraqitur në gjykatë më 2 mars 2026 nga Ilir Meta, i cili kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë personale me një tjetër më të lehtë.
Në përfundim të shqyrtimit, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka vendosi deklarimin e papranueshëm të kërkesës.
Sipas gjykatës, kërkesa u shpall e papranueshme për shkak se përfaqësuesit ligjorë të kërkuesit hoqën dorë nga shqyrtimi i saj gjatë procesit gjyqësor.
Ilir Meta ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” që prej 21 tetorit 2024.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Kërkuesi Ilir Metaj me datë 02.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi nga ato që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 112 dhe 471, pika 5 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 200, datë 06.03.2026, vendosi:
1. Deklarimin e papranueshëm të kërkesës së paraqitur nga kërkuesi Ilir Metaj, regjistruar me nr. 200 regj.themeltar, datë 02.03.2026, me objekt: “Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi nga ato që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale”, për shkak të heqjes dorë të përfaqësuesëve ligjorë të kërkuesit nga shqyrtimi i kësaj kërkese.
2. Shpenzimet gjyqësore siç janë kryer.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
