Është arrestuar autori i dyshuar i grabitjes me armë të ndodhur ditën e sotme në një pikë këmbimi valutor në qendrën tregtare “Concord”, në Tirana.
Sipas informacioneve paraprake, i riu hyri në ambientet e pikës “Exchange” dhe nën kërcënimin e armës mori një shumë parash, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.
Gazetarja Xhensila Kodra ka siguruar pamjet nga momenti i grabitjes. Në video shihet autori i veshur me të zeza dhe me kapuç në kokë, duke mbajtur kokën e ulur për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë, ndërsa pret që punonjësja e pikës së këmbimit t’i dorëzojë paratë.
Sipas të dhënave paraprake, grabitësi ka marrë rreth 1.2 milionë lekë të vjetra.
Pas grabitjes, ai u largua nga vendi i ngjarjes me një motor, ndërsa policia organizoi menjëherë kontrolle në zonë, duke arritur ta identifikojë dhe arrestojë autorin e dyshuar.
Ndërkohë, pritet që policia të japë më shumë detaje për identitetin e të arrestuarit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.


