Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Apeli i GJKKO do të shqyrtojë masën e sigurisë ndaj Belinda Ballukut

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila pezulloi Belinda Ballukun nga detyra, Apeli i GJKKO do të shqyrtojë masën e sigurisë ndaj saj më datën 9 mars në orën 09:00.

Çështja do të shqyrtohet nga i njëjti trup gjykues, me gjyqtare Miliana Muça.

Kujtojmë që Gjykata e Posaçme, vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, pasi akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese.

Ndaj Belinda Ballukut, rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tenderë për tenderin për Tunelin e Llogarasë, aferë kjo me vlerë 210 mln euro dhe për 7 lotet e Unazës së Madhe, projekt për cilin janë prokurouar 450 mln euro.

Prokuroria e Posaçme kërkon nga Kuvendit heqjen e imunitetit, me qëllim arrestimin e saj. Në njoftimin zyrtar, SPAK sqaron Belinda Balluku është marrë e pandehur për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Belinda Balluku, u shkarkua nga postet e zv kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.


Shtuar 5.03.2026 12:34