ARRSH publikon projektin e rrugës alternative për segmentin Librazhd-Prrenjas

Ditën e sotme, Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH, për herë të parë ka bërë publik projektin e ri, ku do të kalojë segmenti alternativ i aksit Librazhd-Prenjas.

Në një video e shpërndarë nga vetë ARRSH, bëhet e ditur se janë hartuar dhe miratuar masa për ndihmën e menjëhershme të situatës.

Kjo përfshin ndërtimin e një segmenti alternativ 1.3 km përgjatë lumit Shkumbin, që do të vijojë përkrah hekurudhës, duke siguruar një kalim për automjetet dhe duke shmangur pjesët e rrezikshme të rrugës.

Për të realizuar këtë, janë ndërmarrë disa veprime të rëndësishme si, devijimi i rrjedhës së lumit për të shmangur ndikimin mbi infrastrukturën e rrugës, rregullimi i urës së dëmtuar dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës që ka pësuar rrëshqitje.

Sipas propozimeve paraprake, rruga alternative do të kalojë përgjatë rrjedhës së Lumi Shkumbin, paralel me trasenë hekurudhore ekzistuese.

Paralelisht, rezultatet e analizave nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar do të përcaktojnë nëse ekziston mundësia e ndërhyrjes dhe rikonstruksionit edhe në segmentin e dëmtuar.

Ndërkohë, vijon evakuimi i qindra metrave kub dhera dhe inertesh nga sipërfaqja e dëmtuar e shpatit në “Arrat e Gurrës”, me synim stabilizimin e masivit dhe rikthimin e ekuilibrit natyror të skarpateve.

Po ashtu, janë bërë ndërhyrje në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), për demontimin e shtyllave të tensionit të lartë dhe të ulët, të cilat janë prekur nga rrëshqitja.

Punimet janë koordinuar me Policinë e Shtetit, me qëllim menaxhimin dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit të mjeteve gjatë këtij procesi.

Kujtojmë se ky aks ka mbetur i mbyllur për disa ditë me radhë, për shkak të shembjes së rrugës që prej datës 1 shkurt, gjë e cila ka sjellë probleme të shumta në trafikun rrugor.