Kryeministri Edi Rama, në takimin me Grupin Parlamentar të PS-së, ka deklaruar sërish se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e vartëses së tij, zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK dhe për të cilën Prokuroria e Posaçme kërkon heqjen e mandatit të deputetes dhe arrestimin e saj.
“Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, qysh në mbrëmjen e ditës që iu ngrit akuza… Pastaj ma ka sjellë përsëri dorëheqjen kur u bë pezullimi, pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai, ndërsa theksoi se “e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes”.
Rama u shpreh se do pres raportin e Këshillit të Mandateve para se të thotë fjalën e tij shteruese për temën e imunitetit, ndërsa shtoi se Belinda Balluku akuzohet për pabarazi në tendera.
Rama: Nuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet me Belinda Ballukun, por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, se do pres raportin e Këshillit të Mandateve para se të them edhe unë fjalën time shteruese për temën e imunitetit.
Por, dua të ndaj me ju këtu diçka që e kam thënë edhe pa praninë e publikut përmes mediave. Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, qysh në mbrëmjen e ditës që iu ngrit akuza. Jo për korrupsion, se është shumë interesantr që ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara për të ndërtuar ato vepra, akuza nuk është për korrupsion.
Nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri dorëheqjen kur u bë pezullimi, pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Siç iu kam thënë, e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes.
