Alarm në Nju Jork: vala më e gjatë e të ftohtit në mbi 60 vjet!

New York City pritet të përballet me një nga periudhat më të gjata të të ftohtit ekstrem në dekada, teksa meteorologët paralajmërojnë se ngricat mund të zgjasin deri në fundjavën e ardhshme. Sipas ekspertëve të AccuWeather, temperaturat maksimale në qytet pritet të qëndrojnë në ose nën 32 gradë Fahrenheit për rreth 15 ditë rresht, duke e renditur këtë valë të ftohti ndër më të gjatat në më shumë se gjysmë shekulli.

Meteorologu Chad Merrill theksoi se nëse parashikimet realizohen, kjo do të ishte seria e dytë më e gjatë me temperatura kaq të ulëta në historinë moderne të qytetit. Hera e fundit kur Nju Jorku përjetoi një periudhë të ngjashme ishte në vitin 1961, ndërsa rekordi absolut mbetet ai i 16 ditëve radhazi me temperatura nën zero.

I ftohti i acartë po nxitet nga sisteme të fuqishme presioni të lartë mbi Groenlandë dhe SHBA-në perëndimore, të cilat po drejtojnë masa ajrore arktike drejt bregut lindor. Kjo situatë meteorologjike ka sjellë stuhi të fuqishme bore dhe erëra therëse, duke përkeqësuar ndjeshëm kushtet e jetesës në qytet.

Parashikimet tregojnë se ndryshimi i motit mund të nisë nga fundi i fundjavës së ardhshme, kur temperaturat pritet të ngjiten gradualisht mbi zero. Deri atëherë, banorët e “Mollës së Madhe” do të duhet të përballen me ditë me temperatura në mesin e 20-ave dhe netë me shifra njëshifrore, ndërsa autoritetet vijojnë thirrjet për kujdes maksimal ndaj të ftohtit ekstrem.


Shtuar 24.02.2026 11:38