Tjetër ngjarje e rëndë në Tiranë, raportohet për të shtëna me armë zjarri! Dyshohet për një të plagosur

Të shtëna me armë zjarri raportohen në këto momente në zonën e njohur si “Delijorgji” në kryeqytet, pak metra larg zonës ku pasditen e kësaj të premte është vrarë me thikë Egli Pashollari, anëtar i grupit të Emiljano Shullazit.

Siç raportohet paraprakisht, një person ka marrë plagë plumbi në zonën e barkut dhe është dërguar me urgjencë në një spital privat në zonën pranë kompleksit.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, sapo në sallën operative është marrë njoftim për të shtëna me armë zjarri, sepse Komisariati nr.2 ndodhet shumë pranë dhe një numër efektivësh ndodheshin në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.

Në këtë zonë, më herët këtë pasdite është vrarë me thikë, dyshohet pas një konflikti të çastit, shtetasi Egli Pashollari. Ai ka qenë pjesë e grupit të Emiljano Shullazit, si dhe ish-gardian në Policinë e Burgjeve.

Ngjarja ka vetëm pak momente që ka ndodhur dhe deri tani nuk ka informacion për identitetin e personit që është plagosur me armë, si dhe motivet apo rrethanat e ngjarjes, e cila ka tronditur komunitetin që banon në pallatet e kompleksit luksoz në Tiranë.


Shtuar 20.02.2026 16:10