GJKKO mbyll shqyrtimin për dosjen “Sterilizimi”, shpallet data kur jepet vendimi

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor për dosjen e njohur si “Sterilizimi”.

Vendimi pritet të shpallet më 4 mars 2026, në orën 15:30.

Një prej të pandehurve, ish-drejtori ekonomik Sajmir Kadiu, gjatë seancës u shpreh se masa e arrestit shtëpiak është e tepruar.

“Kam 3 vjet në arrest shtëpiak dhe kam kaluar më shumë se 2 muaj nga dënimi që ka kërkuar prokuroria. Nuk është fare proporcionale. Kam bërë ankim në Apel, por nuk ka pasur përgjigje”, tha Kadiu.

Në qershor 2025, SPAK kishte kërkuar dënimin prej 6.8 vitesh burg për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ka kërkuar gjithashtu 3 vite e 6 muaj burg për tre ish-zyrtarët Marsela Serjanaj, Sajmir Kadiu dhe Petref Mersini.

Nga gjykimi i shkurtuar, Serjanaj dhe Kadiu kanë marrë dënim të konvertuar në 2 vite e 4 muaj burg, ndërsa Mersini do të kryejë 4 vite shërbim prove.

Për mjekun Arben Gjata, SPAK ka kërkuar që dënimi prej 1 viti e 4 muaj të konvertohet në 3 vite shërbim prove, ndërsa Genc Byrazeri dhe Naile Ajazi u përballën me 2 vite shërbim prove secili.

Ndërkaq, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për vjedhje në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, po gjykohet veçmas sipas procedurës së zakonshme.


Shtuar 18.02.2026 15:52