Një 57-vjeçar nga rajoni i Pulias Itali, përjetoi momente paniku pasi hodhi pa dashje në plehra 20 shufra ari, me vlerë rreth 130 mijë euro.
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në zonën bregdetare të Torre Lapillo-s, ndërsa ari u rikuperua pas një operacioni disaorësh në një landfill mbeturinash.
Sipas mediave, burri kishte investuar prej vitesh të gjitha kursimet e tij në ar, të cilin e mbante të ruajtur në një kuti metalike.
Në një moment shpërqendrimi, ai e hodhi kutinë në një kosh plehrash buzë rrugës, duke e ngatërruar me mbeturina.
Vetëm të nesërmen ai kuptoi gabimin dhe, më 3 shkurt, u paraqit në komisariatin e Porto Cesareo për të kërkuar ndihmë.
Fillimisht, policia dyshoi në vërtetësinë e historisë, pasi rrëfimi dukej i pabesueshëm. Megjithatë, pas verifikimit të kamerave të sigurisë, u konstatua se 57-vjeçari kishte hedhur vërtet një kuti metalike në koshin e mbeturinave.
Problemi ishte se koshi ishte zbrazur dhe mbeturinat ishin transportuar në një landfill. Forcat e rendit u nisën menjëherë drejt landfillit, ku së bashku me punonjësit nisën një kërkim intensiv mes thasëve me mbeturina.
Pas disa orësh kërkime, kutia metalike u gjet dhe ari iu rikthye 57-vjeçarit.
