Në një video të publikuar në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rikthyer në vëmendje nismën për “Statusin e Minatorit”, një propozim ligjor i depozituar prej një viti dhe tashmë në shqyrtim në legjislaturën aktuale.
Tabaku thekson se kjo nismë është fryt i një pune trevjeçare së bashku me një grup minatorësh, të cilët prej kohësh protestojnë çdo të enjte përpara Kuvendit.
“Statusi i Minatorit është një domosdoshmëri për një nga profesionet më të vështira dhe me impaktin më të madh në shëndet e në jetë,” shprehet ajo, duke theksuar se nëntoka shqiptare është e pasur dhe e çmuar, por përfitimet nuk shkojnë tek ata që punojnë në kushte ekstreme.
Sipas Tabakut, propozimi synon përmirësimin e kushteve të punës, organizimin përmes kontratave kolektive dhe mbi të gjitha rritjen e përfitimeve financiare për minatorët, si dhe uljen e moshës së daljes në pension.
Ajo nënvizon se shpenzimet e shumta shëndetësore që ky profesion sjell për minatorët dhe familjet e tyre e bëjnë të domosdoshme një mbështetje afatgjatë nga shteti.
Deputetja demokrate kritikon qeverinë për dështimin në kontrollin e kontratave koncesionare në sektorin minerar dhe për mungesën e një pensioni dinjitoz për punëtorët e nëntokës.
“Ka nevojë vetëm për vullnet politik për të zgjidhur gjërat. Duhet të dalim përtej politikës dhe t’u ofrojmë një pagesë dinjitoze këtyre 11 mijë minatorëve”, – deklaron Tabaku.
Në një kohë kur çmimet janë rritur dhe kostoja e jetesës është përkeqësuar, Tabaku apelon për mbështetje të gjerë parlamentare për këtë nismë, duke e konsideruar atë jo thjesht një çështje sociale, por një provë të përgjegjësisë së shtetit ndaj atyre që mbajnë mbi supe një nga industritë më të rëndësishme të vendit.
