Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka nisur zyrtarisht shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili përballet me akuzën për “shpërdorim detyre” për dosjen “Buka”.
Gjatë seancës së parë, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, paraqitën listën e dëshmitarëve që pritet të thirren në këtë proces.
Sipas burimeve nga salla e gjyqit, dëshmitari i parë që do të dëgjohet është Lirim Fejzollari.
Dëshmitarët: Arben Myderizi, Adrian Myderizi, Shkëlqim Cani, Gelardina Prodani, Fatmir Hoxhaj, Klodian Mene, Roza Naumi, Endri Duçka, Ergys Qirici, Hysen Caka, Rudina Karamuço, Manjola Fagu, Nuri Sopaj, Idlir Xhoxhi, Adriana Sheti, Dezdemona Alickaj, Silvana Gjikdhima, Emil Nova, Igli Gugashi, Federik Seiti, Florian Pustina, Lirim Fejzullai.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 24 shkurt, në orën 14:00, kur pritet të vijojë administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve.
“Dosja Buka”
Hetimet lidhen me një transfertë prej 3 milionë eurosh nga Shqipëria drejt Austrisë. Këto para dyshohet se janë përfituar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, pas privatizimit të ndërmarrjes shtetërore “Buka” në vitin 2014.
Privatizimi i kësaj shoqërie, sipas SPAK, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 7 miliardë lekësh. Transferta është kryer nga biznesmeni Lirim Fejzullai, i cili ka qenë i përfshirë në procesin e privatizimit .
Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre, duke favorizuar privatizimin e shoqërisë “Buka sha” nga biznesmeni Lirim Fezollari.
Pas privatizimit, në pronën e shoqërisë është ndërtuar kompleksi “Emerald” në zonën e Medresesë në Tiranë.
Familja Myderizi, e cila kishte interesa në këtë shoqëri, ka ngritur padi ndaj Ahmetajt duke e akuzuar se u ka shkaktuar dëm financiar. Gjykatat kanë pranuar kërkesat e familjes, duke konfirmuar se dëmi i shkaktuar arrin në 7 miliardë lekë .
