Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka akuzuar drejtpërdrejt disa vende të rajonit dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë USAID dhe National Endowment for Democracy (NED), se kanë mbështetur dhe nxitur protestat kundër qeverisë së tij.
Vuçiç deklaroi se protestat në Serbi nuk janë vetëm shprehje e pakënaqësisë qytetare, por kanë pasur mbështetje të koordinuar nga jashtë, përfshirë shërbime sekrete rajonale dhe aktorë ndërkombëtarë.
Ai përmendi konkretisht Kroacinë, duke e akuzuar për ndikim përmes mediave dhe për mbrojtje të personave të dyshuar për krime të rënda, ndërsa shtoi se aktivitete të ngjashme kanë pasur edhe Prishtina, Tirana dhe qendra të tjera rajonale.
“USAID, NED dhe organizata të tjera ishin gjithashtu të përfshira”, tha Vuçiç, duke pretenduar se disa protestues kanë marrë trajnime dhe mbështetje financiare nga këto struktura për të organizuar protesta kundër qeverisë.
Vuçiç pranoi ekzistencën e problemeve të brendshme dhe pakënaqësive qytetare në Serbi, por theksoi se, sipas tij, këto po shfrytëzohen nga faktorë të jashtëm për të destabilizuar vendin.
