nga Albeu.com
Nga Tuneli i Murrizit te Llogaraja, nga Unaza e Madhe te Thumanë–Kashar, Shqipëria po paguan shtrenjtë një model qeverisjeje ku propaganda ecën më shpejt se standardi, ndërsa inaugurimet paraprijnë sigurinë.
Janë projekte të shpallura si strategjike, me kosto qindra milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve. Të gjitha kanë një emër të përbashkët në zinxhirin e vendimmarrjes: Belinda Balluku, zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në periudhën e konceptimit, kontraktimit dhe zbatimit të tyre.
Sot, këto projekte po përballen me probleme serioze sigurie, cilësie dhe transparence, ndërsa disa prej tyre janë raportuar publikisht si pjesë e dosjeve hetimore të SPAK, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve publike dhe standardeve teknike.
Tuneli i Murrizit: kronika e një rreziku të paralajmëruar
Tuneli i Murrizit, pjesë kyçe e Rrugës së Arbërit, është shndërruar në rast studimor të dështimit institucional. I nisur në vitin 2019 dhe i inauguruar mes vonesash dhe shtyrjesh, tuneli ka shfaqur probleme të përsëritura: infiltrime uji, shembje, ndërprerje qarkullimi dhe shqetësime serioze mbi stabilitetin e strukturës.
Pavarësisht këtyre problemeve, autoritetet nuk kanë bërë publike raporte të plota teknike të pavarura që të garantojnë sigurinë afatgjatë të tunelit. Vendimet për hapje dhe përdorim janë marrë pa transparencë, ndërkohë që përgjegjësia institucionale mbetet e paqartë.
Ky projekt është menaxhuar drejtpërdrejt nga Ministria e Infrastrukturës, nën drejtimin politik të Belinda Ballukut.
Tuneli i Llogarasë: standarde të paqarta dhe mungesë llogaridhënieje
Edhe Tuneli i Llogarasë, një tjetër vepër e shpallur si transformuese për Jugun e vendit, është shoqëruar me debate mbi cilësinë e ndërtimit dhe procedurat e kolaudimit. Pavarësisht inaugurimit dhe promovimit intensiv nga qeveria, nuk janë publikuar në mënyrë të plotë auditime teknike që të vërtetojnë përputhjen me standardet e sigurisë europiane.
Tuneli i Llogarasë u hap me ngut, sepse propaganda nuk pret. Pyetjet mbi cilësinë, auditimet teknike dhe standardet reale u mbytën nga fjalori festiv i qeverisë.
Kur një tunel hapet më shpejt se raporti teknik, kemi të bëjmë me keqadministrim kriminal të sigurisë publike. Nuk është më thjesht paaftësi – është zgjedhje.
Ekspertë të fushës kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme për mënyrën e hapjes së tunelit dhe mungesën e informacionit mbi testimet strukturore dhe sistemet e emergjencës. Deri më sot, Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë shpjegime të detajuara.
Biseda mes përfaqësuesit grek te kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në tunelin e Llogarasë, “Hill International NV” dhe drejtorit te ARRSH, Evis Berberi e pasqyruar ne dosjet e SPAK, tregon gjithcka për mënyrëen se si është punuar.
Pas një inspektimi në kantier në korrik të vitit 2022, përfaqësuesi grek i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në tunelin e Llogarasë mbeti i shokuar. Ai i shkroi i alarmuar kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi se punët po shkonin përditë e më keq me projektin.
“Evis…kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË…” i shkroi Ioannis Kirkinezis, përfaqësues i kompanisë “Hill International NV”, Berberit.
Unaza e Madhe: një plagë urbane me kosto miliardëshe
Unaza e Madhe, projekti që duhej të zgjidhte trafikun e kryeqytetit, është kthyer në shembull klasik të ndërtimit pa standard me kosto shumë te lartë, duke kaluar shiren prej 433 milionë euro. Projekti më i madh urban i dekadës së fundit, vazhdon të shfaqë probleme serioze cilësie. Asfalt i dëmtuar, segmente të rrezikshme për qarkullimin, Hyrje-dalje të papërfunduara, lidhje problematike mes urave dhe nevojë e vazhdueshme për ndërhyrje korrigjuese.
Albeu.com ka publikuar përgjime të dokumentuara ku Balluku, sipas kryetarit të Grupit të PD, Gazment Bardhi, urdhëron Evis Berberin për takime me operatorë të caktuar ekonomikë, të cilët më pas shpallen fitues të tenderëve.
Thumanë–Kashar: autostradë nën hijen e dyshimit
Edhe Thumanë–Kashar, një nga akset më të reklamuara, shoqërohet me pikëpyetje serioze mbi cilësinë, kostot dhe sigurinë. Një autostradë që duhet të ishte standard, por që ngjan më shumë me <strong”>kompromis politik mbi beton, me nje kosto 59 milionë €/km dhe 1.56 miliardë € fitim të garantuara për koncesionarin, Bashkim Ulaj.
Autostrada Thumanë–Kashar, e promovuar si aks me standarde europiane është pjesë e dosjeve hetimore të SPAK, duke e futur edhe këtë vepër në listën e projekteve nën vëzhgim penal.
Edhe në këtë rast, mungesa e transparencës mbi kontratat, ndryshimet e projektit dhe kontrollin teknik ushqen dyshimet publike.
Përgjegjësia politike që mungon
Në asnjë prej këtyre rasteve nuk është marrë përgjegjësi politike. Nuk ka dorëheqje, nuk ka shkarkime, nuk ka auditime të hapura për publikun. Ka vetëm deklarata politike, ndërkohë që faktet në terren tregojnë të kundërtën.
Në një shtet funksional, infrastruktura nuk matet me numrin e inaugurimeve, por me sigurinë dhe jetëgjatësinë e saj. Deri atëherë, pyetja mbetet e hapur: kush mban përgjegjësi kur projektet strategjike kthehen në rrezik publik?
Fakti që pothuajse të gjitha projektet madhore të infrastrukturës rrugore të viteve të fundit janë me probleme të theksuara teknike dhe me kosto mbi ato europiane, ngre një pyetje thelbësore: a kemi të bëjmë me dështime të izoluara apo me një model sistemik menaxhimi? Dhe Belinda Balluku, si drejtuesja politike e këtij portofoli, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mënyrën se si janë konceptuar, kontraktuar, zbatuar dhe certifikuar këto vepra. /albeu.com/


