Nga Foltorja e sotme e Partisë Demokratike në Degën e Njësisë 4 në Tiranë, ish-kandidati për deputet Ilir Alimehmeti, denoncoi skandalin e territ nga mungesa e energjisë elektrike mbrëmjen e djeshme, e që preku edhe spitalin e QSUT-së.
Ai bëri thirrje që të gjithë qytetarët shqiptarë të mblidhen në protestën kombëtare të 24 janarit në kryeqytet para Kryeministrisë për të rrëzuar regjimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama dhe që t’i thonë mjaft aferave korruptive.
Ai akuzoi qeverinë për gjendjen në spitale, situatën e të sëmurëve, mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve dhe deri tek mossigurimi i burimeve të energjisë në raste defektesh si ai i djeshmi.
“Mungesa e dritave një situatë që nuk mendohej dot. E papranueshme situata në spital. Pamë video, njerëz të panikosur. Kjo është përgjegjësi e drejtorisë QSUT, dhe sigurisht e Ministrisë së Shëndetësisë. Që prej tetorit nuk paska kontratë mirëmbajtje të gjeneratorëve”, tha ai.
Alimehmeti ngriti shqetësimin për situatën në spitale pas mungesës së dritave për disa orë në QSUT, duke e quajtur gjendje alarmante dhe që kërkon ndërhyrje emergjente.
“Gjithçka që ndodhi dje, ishte alarmante, a mund të pranojmë dot që në 2026 të themi do Zoti ka drita në spital. U fol për spitale moderne, por këtu bëhet fjalë për drita, përgjegjësi direkte që shkojnë përtej abuzimeve me fondet. Këta nuk e kishin vënë ujin në zjarr. Në 24 janar duhet të jemi në shesh, t’i themi boll më kësaj qeverie”, u shpreh Alimehmeti.
Ish-kandidati ishte sot prezent në Foltoren e radhës që mbajti kreu i PD-së, Sali Berisha, me mbështetësit në zonën e Porcelanit në kryeqytet.
