Zinedine Zidane kthehet për të folur për përvojën e tij me Real Madridin ndërsa po qarkullojnë thashethemet për rikthimin e tij sensacional pas dështimit të Xabi Alonsos, i cili u shkarkua pas humbjes në Superkupën e Spanjës, dhe debutimit tronditës të zëvendësuesit të tij Arbeloa, i eliminuar nga Kupa e Mbretit nga Albacete.
Zidane kujton mbwrritjen e tij te Real Madridi si trajner në janar të vitit 2016, pikërisht në një kohë krize të ngjashme me atë aktuale të Merengues. Ata kishin vënë baste për Rafa Benitezin, por kimia mes tyre nuk u krijua. Kjo kimi, sipas Zidanes, është themeli i rolit të menaxherit të një skuadre yjore të mbushur me kampionë:
“Te Real Madrid, ne ishim aty për lojtarët. Për mua, kjo është ajo që e bën ekipin të fortë; je aty për lojtarin”.
“Nëse nuk e kupton, nuk mund të qëndrosh në këtë profesion. Ne jemi aty për t’i mbështetur ata, duhet të tregosh se je aty për ta. Që dhoma e zhveshjes të pranojë atë që dëshiron të zbatosh, duhet ta pëlqejmë njëri-tjetrin. Nëse lojtarët nuk pajtohen me gjithçka që u jepet, në stërvitje, të gjitha këto… gjithmonë do të ketë diçka që mungon. Me ne, mendoj se ata u argëtuan shumë në çdo nivel”.
