Aksidenti ajror ku humbi jetën komandanti i forcave të armatosura të Libisë, Turqia kërkon ndihmën e Gjermanisë për analizimin e kutisë së zezë së avionit

Turqia ka kërkuar ndihmën e Gjermanisë për të “lexuar” të dhënat e regjistruara në kutinë e zezë të avionit që u rrëzua javën e kaluar pranë Ankarasë, aksident në të cilin humbën jetën tetë persona, mes tyre edhe komandanti i forcave të armatosura të Libisë.

Zyra Federale Gjermane për Hetimin e Aksidenteve Ajrore (BFU) i tha Agjencisë Franceze të Lajmeve se ka “marrë një kërkesë” nga autoritetet turke për të ndihmuar në deshifrimin e regjistruesve të fluturimit. Kutia e zezë e avionit u gjet në fusha bujqësore, pranë vendit të përplasjes.

Në aksident humbën jetën gjenerali Mohamed al-Haddad, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Libisë, katër këshilltarë të tij si dhe ekuipazhi prej tre personash i avionit, mes të cilëve edhe Maria Pappa, stjuardesë me origjinë nga Greqia.

Autoritetet turke ia atribuojnë aksidentin një defekti në sistemin elektrik të avionit.

Ankaraja kishte njoftuar më herët se hetimi për shkaqet e aksidentit do të kryhej nga një “vend neutral”, me shumë gjasë Gjermania.

BFU sqaroi se ka kontaktuar autoritetet turke dhe ka kërkuar fotografi të regjistruesve të fluturimit për të verifikuar nëse të dhënat e tyre mund të lexohen. Nëse kjo konfirmohet, regjistruesit do të dërgohen në Gjermani për analizë. Të dhënat e nxjerra do t’i përcillen më pas autoritetit turk përgjegjës për hetimin.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Libisë njoftoi sot se i ka kërkuar Britanisë së Madhe të ndihmojë në procesin e hetimit.


Shtuar 30.12.2025 18:34