Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me publikimin e rezultateve paraprake nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025.
Aktualisht në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Deri më tani janë numëruar mbi 26 për qind të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas të dhënave të deritanishme, të përpunuara Lëvizja Vetëvendosje po prin në nivel vendi.
Në listën e kandidatëve më të votuar nga kjo parti, kryeson Albin Kurti me 89,529 vota i ndjekur nga Glauk Konjufca me 69,847 vota, Hekuran Murati me 36,214 vota, Albulena Haxhiu me 36,203 vota dhe Donika Gërvalla-Schëarz me 31,628 vota.
Partia Demokratike e Kosovës në nivel vendi është renditur si partia e dytë.
Në listën e kandidatëve pesë më të votuarit nga kjo parti janë: Bedri Hamza me 40,640 vota, Arian Tahiri me 19,561 vota, Përparim Gruda me 18,145 vota, Uran Isamili me 14,401 vota dhe Sala Jashari me 13,077 vota.
Si parti e tretë në nivel vendi është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës.
Top pesë kandidatët më të votuar deri më tani nga kjo parti janë: Lumir Abdixhiku me 19,357 vota, Hykmete Bajrami me 12,588 vota, Ukë Rugova me 10,841 vota, Avdullah Hoti me 9,693 vota dhe Doarsa Kica-Xhelili me 9,679 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është renditur si forca e katërt politike në nivel vendi.
Nga numërimi i deritanishëm i votave të kandidatëve për deputetë, pesë më të votuarit nga kjo parti janë: Ramush Haradinaj me 10,036 vota, Daut Haradinaj me 6,194 vota, Besnik Tahiri me 6,042 vota, Bekë Berisha me 4,402 vota dhe Time Kadrijaj me 4,171 vota.
Procesi i numërimit po vazhdon dhe KQZ ka theksuar se këto rezultate janë paraprake dhe mund të ndryshojnë me përditësimin e të dhënave nga vendvotimet e mbetura.
