Më shumë se një duzinë shtetesh, kryesisht evropiane, kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë izraelite për të miratuar ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregu Perëndimor, duke i bërë thirrje Izraelit që të tërheqë këtë vendim.
Në një deklaratë të përbashkët, vendet nënshkruese, mes tyre Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Irlanda, Belgjika, Danimarka, Islanda, Norvegjia, Malta, si dhe Kanadaja dhe Japonia, dënuan miratimin e vendbanimeve, duke theksuar se këto veprime shkelin ligjin ndërkombëtar dhe rrezikojnë të nxisin paqëndrueshmëri në rajon.
Deklarata u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme gjermane, ku thuhet se zgjerimi i vendbanimeve izraelite minon perspektivat për paqe dhe siguri afatgjatë, si dhe rrezikon të dëmtojë përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit, përfshirë planin e paqes në Gaza.
Izraeli ka miratuar së fundmi ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, territor i pushtuar që nga viti 1967, kur mori kontrollin edhe mbi Jerusalemi Lindor. Aktualisht, në këto zona jetojnë mbi 700 mijë kolonë izraelitë, mes rreth 3 milionë palestinezëve.
Sipas ligjit ndërkombëtar, vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme. Edhe Kombet e Bashkuara i kanë cilësuar ato si një nga pengesat kryesore për arritjen e një zgjidhjeje paqësore me dy shtete, e cila do të lejonte bashkëjetesën paqësore të Izraelit dhe një shteti të pavarur palestinez.
