Pasditen e kësaj të marte, ish-drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, (SPAK).
Kjo është hera e dytë që ai thirret nga prokurorët e posaçëm, pasi herën e parë ishte më shumë se një muaj më parë, ku u pyet mbi tentativën e hakerimit të SPAK.
Ismaili është marrë nën hetim nga SPAK për tre vepra penale: Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, kryerje e veprimeve në kuadër të grupit kriminal dhe grup kriminal.
Më 12 mars, SPAK ishte në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm.
Për këtë ngjarje kanë përfunduar në pranga ish-punonjësi i IMT-së, Arnold Rrokaj dhe ish-zyrtari i burgut të Vlorës, Zambak Gjonaj.
Sipas hetimeve paraprake, hakerat kanë tentuar të marrin informacion nga kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini.
Dy personat e arrestuar dyshohet se kanë shpërndarë dokumente të siguruara nga sulmi kibernetik te persona të tjerë.

