Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën se vetëm Shtetet e Bashkuara janë të afta ta bindin Rusinë të përfundojë luftën, ndërsa të dërguarit nga Moska dhe Kievi janë gati të fillojnë një raund të ri bisedimesh në Miami.
“Unë besoj se Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump e kanë këtë fuqi. Dhe besoj se nuk duhet të kërkojmë alternativa ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha Zelensky në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me komentet e bëra nga Presidenti francez Emmanuel Macron se Evropa duhet të fillojë bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë nëse përpjekjet e Uashingtonit dështojnë.
Mediat e huaja shkruajnë se, Zelensky tha se Ukraina do të mbështeste propozimin e SHBA-së për bisedime trepalëshe nëse kjo do të lehtësonte shkëmbimin e të burgosurve dhe do të hapte rrugën për një samit.
“Amerika tani po propozon një takim trepalësh të këshilltarëve të sigurisë kombëtare. Nëse një takim i tillë mund të zhvillohet tani që do të çonte në një shkëmbim të të burgosurve të luftës ose në një marrëveshje për një takim trepalësh të udhëheqësve, ne do t’i mbështesim këto propozime. Le të shohim se si do të shkojnë gjërat”, shtoi ai. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ai tha se nuk ishte i bindur se një takim i tillë do të sillte diçka të re.
Zelensky tha gjithashtu se SHBA-të duhet të rrisin presionin ndaj Rusisë. “SHBA-të duhet ta thonë qartë: nëse nuk ka rrugë diplomatike, atëherë do të ketë presion universal ”, tha ai, duke iu referuar mundësisë, për shembull, të dërgimit të më shumë armëve në Ukrainë ose zgjatjes së sanksioneve mbi ekonominë ruse.
Një kompromis midis dy palëve do të ishte të ndaleshin në vijat aktuale të frontit, përsëriti ai, duke theksuar se kontrolli i Ukrainës mbi pjesën e papushtuar të Donbasit është një “pozicion parimor” për Kievin. Sa i përket krijimit të një zone të lirë ekonomike në Donbas, ai tha se kjo do të vendoset nga populli ukrainas.
