Kryeministri Edi Rama komentoi faktorët që, sipas tij, ndikojnë në mbijetesën e gjatë në politikë. Gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, Rama theksoi se nuk ka një recetë të vetme, por se gjithçka është rezultat i një kombinimi rrethanash dhe ngjarjesh që diktojnë lëvizjet e individëve në skenën politike.
Rama u pyet edhe për ish-kryeministrin Fatos Nano, të cilin e përshkroi si një njeri me shumë talent, por me pak vullnet. Ndërsa për ish-kryeministrin Sali Berisha, ai tha se është më i vullnetshmi, edhe pse shpesh në aspektet negative të karakterit të tij. Kur u pyet për Ilir Metën, Rama shmangu komentet e gjera, duke iu referuar raportit që kishte përshkruar më parë në librin e tij.
Blendi Fevziu: Nano nuk është më në këtë jetë. Nëse do ju kërkoja sot ta përkufizonit në mënyrë realiste, si do ta përkufizonit?
Edi Rama: Në qoftë se do më kërkosh vetëm një fjali do thosha shumë talent, pak vullnet.
Blendi Fevziu: Kush është njeriu politik më i vullnetshëm që keni njohur këto 30 vite?
Edi Rama: Më i vullnetshmi në të keqen e vet është ai miku jot. Pa diskutim.
Blendi Fevziu: Berisha?
Edi Rama: Nuk ia zë emrin unë tani se më duket sikur… Më i vullnetshmi në të keqen e vet është ai miku jot. Ti ia gjete emrin direkt. Se ti ke dhe gjithë këta miq. Si e gjete menjëherë?
Blendi Fevziu: Raporti juaj me Metën?
Edi Rama: Kam shkruar për të në libër dhe pak a shumë është raporti që ka qenë vijimësisht edhe më pas.

