Aksion kundër korrupsionit në Kosovë! Arrestohet një ish-ministër, në pranga edhe zyrtarë të lartë për shpronësime të paligjshme

Disa persona “janë shoqëruar për intervistim” pas një aksioni policor, tha Policia e Kosovës më 18 dhjetor. Por, për dallim nga ky institucion, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se gjatë operacionit kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare janë “arrestuar disa zyrtarë të lartë” publikë, përfshirë një ish-ministër.

Policia tha me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencës, ky aksion policor u krye në disa lokacione të ndryshme dhe vetëm pas përfundimit të procedurave, do të japin informacione shtesë.

Të lidhura

None found

Megjithatë, Sveçla përmes një postimi në Facebook tha se disa persona u arrestuan lidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.

“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J.M.; zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D.; ekspertin e gjykatës Sh.T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK-së G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I”, shkroi ai në Facebook.

Sipas tij, ata dyshohet se kanë “vepruar si grup i organizuar kriminal”, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe kanë shkaktuar dëme “të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës”.

Sveçla tha se përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, personat e arrestuar kishin iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës “me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011-2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike”./ REL


Shtuar 18.12.2025 23:19