E pandehur dhe në hetim për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe, sot në Apelin e GJKKO zhvillohet seanca për Belinda Ballukun

Këtë të enjte, në Apelin e GJKKO zhvillohet seanca mbi kërkesën e Belinda Ballukut, për të hequr masat e sigurisë të vendosura ndaj saj, konkretisht pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit, të vendosura nga GJKKO.

Ankimi i Belinda Ballukut, do të shqyrtohet nga gjyqtarja Miliana Muça.

Ndaj Belinda Ballukut, rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tenderë për tenderin për Tunelin e Llogarasë, aferë kjo me vlerë 210 mln euro dhe për 7 lotet e Unazës së Madhe, projekt për cilin janë prokurouar 450 mln euro.

Heqjen ose zbutjen e masës së sigurisë e ka kërkuar edhe drejtori i KESH Erald Elezi, i cili ndodhet në “arrest në Shtëpi” dhe kreu i ARRSH, Gentian Gjyli.

Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme kërkon nga Kuvendit heqjen e imunitetit, me qëllim arrestimin e saj.

Në njoftimin zyrtar, SPAK sqaron Belinda Balluku, është marrë e pandehur për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Bisedat e reja të Ballukut me Berberin

Ditën e djeshme (17 dhjetor) Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar pjesë nga dosja hetimore e Belinda Ballukut, ku zëvendës kryeministrja komunikon me Evis Berberin për supervizimin e Unazës së Madhe. Në komunikimet mes tyre përmendet edhe emri i kryeministrit Edi Rama.

Në këto biseda diskutohet mbi hapjen e kontratave të supervizionit, kohëzgjatjen e tyre trevjeçare, si dhe mbi ndikimin financiar dhe vendimmarrjen për hapjen ose jo të proceseve të reja.

Hetimet për Ballukun

Prokuroria sqaron se nga hetimet janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi.

Në tenderin me objekt ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, me fond limit më shumë se 18.9 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të pandehurës Belinda Balluku, e cila në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, e deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

“E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘I….dhe A…..’”, citohet në njoftim.

Po ashtu, shpjegohet se në kohën e kryerjes së veprimeve, i pandehuri Evis Berberi ka mbajtur funksionin si drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar; Erald Elezi ka qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar; Gentian Gjyli si drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa të pandehurat Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica kanë qenë specialist të nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Tenderi i dytë në të cilin Balluku është gjetur përgjegjëse është ai i Lotit 4 të Unazës së Jashtme Tiranë në vitin 2021, me fond limit 2 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ARRSH. Sipas SPAK, ka rezultuar se dhe në këtë rast, Balluku ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga ARRSH, institucion në varësi të ministrisë që ajo drejton.

Edhe në këtë rast, Balluku akuzohet se në bashkëpunim me Berberin, tre anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K. e D.Xh, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi, K.K. e M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e tenderit duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë të shpallur fitues.


Shtuar 18.12.2025 08:26