Nuk mund të zgjedh midis Serisë A dhe Championsit, Lautaro Martinez: Kam hedhur “rrënjë” në Milano, s’kam pse të largohem

Lautaro Martinez, nuk flet zakonisht shumë për Seria dhe Ligën e Kampioneve. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, kapiteni i Interit deklaroi se: “Unë nuk zgjedh. Dua të shkoj deri në fund në çdo garë, siç kemi bërë vitet e fundit. Jemi në një udhëtim të jashtëzakonshëm që i ka sjellë Interit trofe dhe lumturi. Të luash dy finale të Ligës së Kampioneve në tre vjet nuk është e garantuar”.

Hidhërimi i finales së Mynihut ka kaluar: “Po, humbjet edhe nëse të dhembin shumë, të bëjnë të rritesh. Zemërohem shumë kur humbas, por duhet të marrësh në konsideratë edhe aftësitë e kundërshtarit. Sidoqoftë, kemi filluar përsëri. Ndoshta disa rezultate nuk ishin pozitive, por duhet pak kohë. Kemi një trajner të ri, Kristian Kivu, i cili po na jep shumë energji. Nga jashtë, mund të mos jetë e dukshme, por e dimë që po përmirësohemi ditë pas dite”.

Një koment i fundit mbi marrëdhënien e tij me zikaltërit dhe dëshirën e tij për të qëndruar në Milano:

“Sigurisht. Unë dhe familja ime jemi shumë të lumtur këtu, kemi hedhur rrënjë në Milano. Sapo nënshkrova një kontratë të re, kështu që nuk kam arsye të largohem”.


Shtuar 12.12.2025 11:35