Shqiptari “magjistar” arratiset për herë të katërt nga burgu i sigurisë së lartë në Itali (EMRI)

Një arratisje spektakolare ka ndodhur në burgun e sigurisë së lartë në Opera, Milano, ku i dënuari shqiptar Taulant Toma, 41-vjeç, është shpallur në kërkim pas zhdukjes nga qelia e tij të dielën në mëngjes.

Sipas mediave italiane, alarmi u dha rreth orës 08:00, kur oficerët e policisë së burgut nuk e gjetën Tomën gjatë kontrolleve të mëngjesit.

Hetimet paraprake tregojnë se ai mund të ketë prerë hekurat e dritares, është ngjitur në oborr dhe më pas ka kaluar murin rrethues, duke u zhdukur pa lënë gjurmë.

Forcat e sigurisë po kontrollojnë zonën përreth burgut dhe territoret përreth Milanos, ndërsa po analizohen me imtësi edhe pamjet e kamerave për të rindërtuar çdo hap të arratisjes.

Kjo është herë e katërt që Toma i shpëton burgimit. Ai ka precedentë për grabitje, vjedhje dhe trafik droge, ndërsa dënimi i tij aktual skadon në vitin 2048.

Aktualisht, në zonën e Operas dhe më gjerë janë angazhuar njësi të shumta policore, patrulla në tokë, njësi speciale dhe kontrolle rrugore, ndërsa Toma konsiderohet shumë i rrezikshëm për shkak të aftësive të tij për t’u arratisur.

Hetuesit po punojnë për të zbuluar nëse Toma, ka pasur ndihmë nga jashtë apo e ka organizuar arratisjen në mënyrë të pavarur.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në Itali, duke ngritur pyetje mbi sigurinë në burgjet e sigurisë së lartë dhe masat e marra ndaj të dënuarve me rrezik të lartë arratisjeje.


Shtuar 7.12.2025 15:05